Bashkëpronësia: Parimi i Unanimitetit në Tjetërsim

Bashkëpronësia: Parimi i Unanimitetit në Tjetërsim

  E Drejta e Pronësisë 23 KORRIK 2025 Bashkëpronësia: Parimi i Unanimitetit në Tjetërsim Jurisprudenca e KCGJL Vendimi nr. 00-2025-3030 (383) Në një vendim qartësues për marrëdhëniet juridike të pronësisë, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë ka trajtuar kufijtë e disponimit të sendit kur ai ndodhet në regjimin e bashkëpronësisë, duke bërë një ndarje të prerë midis pjesës takuese dhe sendit si të tërë. “Tjetërsimi i sendit në bashkëpronësi si një i tërë mund të bëhet vetëm me unanimitetin e vullnetit të të gjithë bashkëpronarëve, pavarësisht nga pjesa takuese.” Analiza e Çështjes Çështja u ngrit mbi pavlefshmërinë e një deklarate noteriale ku bashkëpronarët kishin hequr dorë nga pronësia mbi një sipërfaqe trualli pa vullnetin e njërës prej bashkëpronareve (paditëses). Gjykatat e faktit e kishin konsideruar veprimin si tërësisht të pavlefshëm, por KCGJL ofroi një interpretim më të saktë teknik. Kolegji sqaroi se në rastet kur cenohet vetëm pjesa e njërit bashkëpronar, nuk jemi përpara një pavlefshmërie absolute të të gjithë veprimit, por përpara një pavlefshmërie të pjesshme sipas nenit 111 të Kodit Civil. Parimet e Përcaktuara ✦ Dallimi midis Sendit dhe Pjesës: Shitja apo tjetërsimi i pjesës takuese të një bashkëpronari mund të bëhet lirisht, me kusht respektimin e të drejtës së parablerjes (Neni 204 i KC), por tjetërsimi i sendit “si një i tërë” kërkon vullnetin e të gjithëve pa përjashtim. ✦ Pavlefshmëria e Pjesshme: Deklarata noteriale është e pavlefshme vetëm për pjesën që cënon të drejtën e paditëses. Ajo mbetet e vlefshme për pjesët takuese të bashkëpronarëve të tjerë që kanë shprehur vullnetin e tyre. ✦ Legjitimimi i Paditësit: Bashkëpronari legjitimohet të kërkojë pavlefshmërinë vetëm për aq sa i takon pjesës së tij takuese mbi sendin e përbashkët, dhe jo për pjesët e të tjerëve. Duke konstatuar këto imprecizione në interpretimin e gjykatave të faktit mbi vlefshmërinë tërësore të veprimit juridik, KCGJL vendosi kthimin e çështjes për rigjykim. Ky vendim mbron si lirinë e disponimit të bashkëpronarëve të tjerë, ashtu edhe të drejtën e paprekshme të bashkëpronarit që nuk ka dhënë pëlqimin. Jurisprudenca Civile • MMXXV Bashkëpronësia Kodi Civil Pavlefshmëri e Pjesshme  

Sipërmarrja: Përfundimi Funksional i Veprës

Analizë Juridike – Petani Law & Tax E Drejta e Kontratave 17 SHTATOR 2025 Sipërmarrja: Përfundimi Funksional i Veprës Jurisprudenca e KCGJL Vendimi nr. 00-2025-3329(400) Në fushën e kontratave të sipërmarrjes, momenti i dorëzimit të objektit mbetet një nga pikat më të nxehta të mosmarrëveshjeve. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë ka qartësuar së fundmi se dorëzimi nuk është thjesht një akt formal, por lidhet ngushtë me përfundimin funksional të veprës. “Pranimi i heshtur i veprës do të ishte legjitimuar vetëm nëse sipërmarrësi do të kishte provuar se i kishte bërë ftesë porositëses për kontroll pas përfundimit funksional të objektit.” Konteksti i Çështjes Çështja trajton kërkesën e një porositëseje për pagimin e kushtit penal për vonesë në dorëzimin e një apartamenti. Ndonëse afati i përfundimit ishte caktuar në mars të vitit 2010, shoqëria ndërtuese pretendoi se punimet ishin kryer dhe se hyrja e paditëses në objekt pa rezerva përbënte një “pranim në heshtje” sipas nenit 863 të Kodit Civil. Gjykatat e faktit fillimisht e rrëzuan padinë, duke u mjaftuar me përfundimin formal të strukturës, por KCGJL ka ofruar një analizë më të thellë mbi vullnetin kontraktor dhe detyrimet reciproke. Analiza e Kolegjit Civil ✦ Përfundimi Funksional vs. Formal: Gjykata nuk duhet të ngatërrojë përfundimin e strukturës me banueshmërinë reale të objektit. Kushti penal aktivizohet nëse sendi nuk është gati për përdorim sipas qëllimit të marrëveshjes. ✦ Mitet mbi Pranimin e Heshtur: Neni 863 i KC kërkon domosdoshmërisht që sipërmarrësi të ketë njoftuar përfundimin dhe të ketë krijuar kushtet për kontroll. Pa një ftesë të qartë për inspektim, nuk mund të pretendohet pranim i heshtur. ✦ Pavarësia e Kushtit Penal: Kushti penal garanton detyrimin kryesor (dorëzimin në afat) dhe nuk mund të kushtëzohet nga faktorë të tjerë dytësorë që nuk lidhen me banueshmërinë e objektit. Vendimi i Kolegjit Civil urdhëroi rishqyrtimin e çështjes, duke theksuar se një hetim i plotë duhet të zbulojë nëse objekti ishte realisht i banueshëm në momentin e pretenduar të dorëzimit, pasi ky fakt përcakton legjitimitetin e kërkesës për kusht penal. E Drejta e Sipërmarrjes • MMXXV Kontratë Sipërmarrjeje Kusht Penal Kodi Civil

Qipro: Privatësia e Donatorëve vs. Transparenca

  E Drejta Kushtetuese & Privatësia 24 PRILL 2025 Qipro: Privatësia e Donatorëve vs. Transparenca Jurisprudenca Evropiane Gjykata Supreme Kushtetuese e Qipros Në një vendim historik për mbrojtjen e jetës private, Gjykata Supreme Kushtetuese e Qipros ka rrëzuar një ligj amendues që kërkonte publikimin e të dhënave personale të donatorëve për organizatat e mirëqenies sociale. Ky vendim forcon balancën midis transparencës dhe të drejtave themelore të njeriut. “Ligjvënësi nuk ka vërtetuar ekzistencën e një nevoje shoqërore të menjëhershme dhe urgjente që do të justifikonte kufizimin e të drejtës së privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale.” Analiza e Konfliktit Juridik Çështja u dërgua në Gjykatë nga Presidenti i Republikës, duke kundërshtuar një ligj që parashikonte regjistrimin dhe publikimin e emrave të donatorëve (individë dhe persona juridikë). Gjykata konstatoi se ky publikim bie ndesh me Kushtetutën, Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së dhe Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR). Mbrojtja shtrihet edhe mbi personat juridikë, në rastet kur emri i tyre lejon identifikimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të individëve që qëndrojnë pas tyre. Konkluzionet e Gjykatës ✦ Parimi i Proporcionalitetit: Gjykata vlerësoi se kufizimi i privatësisë ishte joproporcional në raport me objektivin e transparencës dhe llogaridhënies. Nuk mund të sakrifikohet privatësia e individit pa një nevojë urgjente shoqërore. ✦ Harmonizimi me Jurisprudencën e BE: Duke u bazuar në praktikën e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, Gjykata e Qipros theksoi se standardet e privatësisë (Neni 7 i Kartës) dhe mbrojtjes së të dhënave (Neni 8 i Kartës) janë parësore. ✦ Mbrojtja e Donatorëve: Ky vendim mbron lirinë e individëve për të kontribuar në kauza sociale pa rrezikuar ekspozimin e panevojshëm të të dhënave të tyre personale në publik. Vendimi Origjinal Për të lexuar tekstin e plotë të vendimit kushtetues (në greqisht), mund të klikoni lidhjen më poshtë. Lexo Vendimin në CyLaw E Drejta e Privatësisë • MMXXV GDPR E Drejta Kushtetuese Transparenca  

SOTTOSCRIZIONE

Iscriviti al nostro blog

Petani Law & Tax è uno studio legale d'impresa indipendente che offre consulenza strategica in ambito societario e di investimento, nonché assistenza in controversie complesse. Punto di riferimento per aziende, investitori e istituzioni, lo studio coniuga eccellenza giuridica e visione commerciale per fornire soluzioni pratiche in Albania e nella regione.

it_ITItalian