
Vonesat e gjykimeve dhe dëmi që ato i sjellin bizneseve. Dhoma e Avokatisë propozon moratorium bashkëpunimi me Dhomën e Tregtisë
- By admin
Burimi : DurrësLajm
Numri i lartë i dosjeve të mbartura dhe që ende presin zgjidhje nga Gjykata Administrative Durrës penalizon jo pak veprimtarinë e subjekteve private, por edhe qytetarëve që i drejtohen gjyqësorit për të marrë zgjidhje lidhur me mosmarrëveshjet me institucionet publike.
Avokati i njohur Lorval Petani thotë për “Durrëslajm” se shumë kompani nuk kanë mundur të gjejnë të drejtën e tyre dhe detyrohen të presin tej çdo afati të mundshëm ligjor për vendimin e gjykatës.
Të ndodhur para një problematike të tillë që vijon prej vitesh, avokat Petani propozon një memorandum bashkëpunimi mes Dhomës së Avokatisë dhe asaj të Tregtisë. Sipas tij, ky memorandum do të garantonte një mbështetje më shumë për kompanitë dhe subjektet private për të adresuar problematikat e tyre dhe për t’i dhënë zgjidhje më të shpejtë në kohë çështjeve administrative.
Të njëjtin mendim ndan edhe kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Alban Isteri, i cili thekson se ka ardhur koha që bizneset të kenë përfaqësuesit e tyre ligjorë.
Mungesat e gjyqtarëve në Gjykatën Administrative Durrës, por edhe numri i madh i dosjeve të mbartura nga vitet e kaluara e kanë vënë në vështirësi këtë organ të drejtësisë për vendimmarrje të shpejtë.
Nga 1224 çështje të reja të regjistruara në 9 mujorin e parë të këtij viti, vetëm 449 çështje janë gjykuar. Duke pasur parasysh faktin se 1958 çështje të tjera janë të mbartura nga viti i kaluar, Gjykata Administrative Durrës është e “mbytur” nga dosjet.