Vendimi nr. 00-2025-4036 (528), Datë 12.11.2026 i Kolegjit Civil
Vendimi nr. 00-2025-4036 (528), datë 12.11.2026 i Kolegjit Civil Në marrëdhëniet e qirasë, kërkimi për lirimin dhe dorëzimin e sendit i takon vetëm qiradhënësit ndërsa qiramarrësi i ri nuk legjitimitet të kërkojë drejtpërdrejt këtë detyrim ndaj poseduesit aktual. Parashikimi i investimeve në kontratë nuk ndryshon natyrën e saj si kontratë qiraje dhe kompensimi i tyre kushtëzohet nga miratimi i qiradhënësit. Palët kanë lidhur kontrata qiraje për përdorimin e ambienteve në administrim të një univ…
Vendimi nr. 00-2025-4036 (528), datë 12.11.2026 i Kolegjit Civil
Në marrëdhëniet e qirasë, kërkimi për lirimin dhe dorëzimin e sendit i takon vetëm qiradhënësit ndërsa qiramarrësi i ri nuk legjitimitet të kërkojë drejtpërdrejt këtë detyrim ndaj poseduesit aktual. Parashikimi i investimeve në kontratë nuk ndryshon natyrën e saj si kontratë qiraje dhe kompensimi i tyre kushtëzohet nga miratimi i qiradhënësit.
Palët kanë lidhur kontrata qiraje për përdorimin e ambienteve në administrim të një universiteti. Pas përfundimit të kontratës, qiramarrësi nuk ka dorëzuar ambientin. Universiteti ka lidhur kontratë të re qiraje me një subjekt tjetër, i cili ka kërkuar lirimin e ambientit dhe shpërblim për përdorimin e tij. Ndërkohë, qiramarrësi i mëparshëm ka kërkuar njohjen e investimeve dhe rilidhjen e kontratës.
Gjykata e shkallës së parë ka rrëzuar padinë e qiramarrësit të ri për mungesë legjitimiteti aktiv dhe ka detyruar qiramarrësin e mëparshëm të lirojë ambientin dhe të paguajë shpërblim për përdorimin. Ajo ka pranuar pjesërisht kërkesën për kompensimin e investimeve dhe ka rrëzuar kërkimet për rilidhjen e kontratës dhe fitimin e munguar. Gjykata e apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke ndarë të njëjtin arsyetim si për legjitimitetin, ashtu edhe për trajtimin e investimeve dhe detyrimin për lirimin e sendit.
Arsyetimi i Gjykatës (KCGJL)
KCGJL çmon se paditësi (qiramarrësi i ri) nuk ka legjitimitet aktiv për të kërkuar lirimin e sendit, pasi kjo e drejtë i takon vetëm qiradhënësit. Mbajtja e sendit pas përfundimit të kontratës përbën posedim të paligjshëm. Sa i përket investimeve, KCGJL thekson se natyra juridike e kontratës nuk ndryshon për shkak të parashikimit të tyre dhe se kompensimi i investimeve duhet të vlerësohet në përputhje me kushtet kontraktore, veçanërisht me kërkesën për miratim nga qiradhënësi. Për këtë arsye, vendimi i gjykatës së apelit vlerësohet pjesërisht i cenueshëm në këtë drejtim.
Në përfundim, KCGJL ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së apelit për pjesën që lidhet me rrëzimin e padisë për mungesë legjitimiteti dhe detyrimin për lirimin e sendit dhe cenim i pjesshëm i vendimit të apelit për pjesën që lidhet me investimet dhe natyrën juridike të kontratës.