Petani Law & Tax
Kthehu tek blogu

Vendimi nr. 00-2025-3686 (473), Datë 28.10.2025 i Kolegjit Civil

Vendimi nr. 00-2025-3686, datë 28.10.2025 i Kolegjit Civil Në rastet e ndërhyrjeve të paligjshme me ndërtim mbi truallin e pronarit, nga organi publik, duke qenë se pasuria truall nuk ka humbur, por është bashkuar me ndërtesën duke krijuar një send të vetëm, gjykata duhet të konsiderojë kërkesën e pronarit të truallit për njohjen e të drejtës së pronësisë mbi pjesë të vecanta të ndërtimit që janë në posedim të organit publik dhe jo të rrëzojë padinë me arsyetimin se paditësi duhet të ngrinte pa…

Litigation Stafi Petani Jun 22, 2026 3 min lexim

Vendimi nr. 00-2025-3686, datë 28.10.2025 i Kolegjit Civil

Në rastet e ndërhyrjeve të paligjshme me ndërtim mbi truallin e pronarit, nga organi publik, duke qenë se pasuria truall nuk ka humbur, por është bashkuar me ndërtesën duke krijuar një send të vetëm, gjykata duhet të konsiderojë kërkesën e pronarit të truallit për njohjen e të drejtës së pronësisë mbi pjesë të vecanta të ndërtimit që janë në posedim të organit publik dhe jo të rrëzojë padinë me arsyetimin se paditësi duhet të ngrinte padinë e rivendikimit.

Me vendimin e KKKP të Bashkisë Shkodër, në favor të trashëgimtarëve (ku bën pjesë edhe paditësi), është kthyer një sipërfaqe trualli prej 3910 m², regjistruar pranë Zyrës së Hipotekës Shkodër, datë 27.04.1994. Nga ana e Këshillit të Rregullimit të Territorit në Bashkinë Shkodër, datë 16.06.1993, është dhënë leje ndërtimi për një pallat 6-katësh me dy seksione, që përfshihet në truallin që i është kthyer ish-pronarëve.

Pas ndërtimit të objektit, Enti Kombëtar i Banesave, e ka regjistruar titullin e pronësisë në favor të tij dhe më pas, apartamentet që përfshihen në godinën në fjalë, i janë shpërndarë personave që përfitojnë statusin si “të pastrehë”. Paditësi i është drejtuar gjykatës me padinë të cilën ia kundrejton palëve të paditura, Bashkisë Shkodër dhe Drejtorisë Rajonale të Entit Kombëtar të Banesave, duke kërkuar detyrimin për të na njohur bashkëpronar mbi objektin e ndërtuar.

Arsyetimi i Gjykatës

Gjykata e Rrethit Shkodër e rrëzoi padinë, duke vlerësuar se ndërtimi është i paligjshëm. Gjykata e Apelit Shkodër, ka vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër me arsyetimin se paditësi duhet të ngrinte padinë e rivendikimit. KCGJL çmon se mosmarrëveshja lidhet me të drejtën subjektive të pronësisë dhe mbrojtjen e saj ndaj ndërhyrjeve të paligjshme.

Sipas nenit 41 e vijues të Kushtetutës njihen disa forma të kompesimit të të drejtës së pronësisë, që janë rezultat i shpronësimit ligjor nga shteti ose me pagesën në vlerë në rastet e pamundësisë së kthimit të sendit, ose me njësi ndërtimore në rastet kur trualli investohen për ndërtim. Në konsideratë të faktit se njësitë e shërbimit të pretenduara ishin ende në pronësi të shtetit, gjykata e apelit duhet t’i japë në rigjykim një përgjigje ezauruese kërkimeve të palës paditëse.

Për këtë arsye KCGJL vlerëson se shkaqet e ngritura nga pala paditëse përmbajnë çështje të mënyrës së zbatimit të ligjit procedural e material. Për pasojë vendimi i kësaj gjykate duhet të prishet dhe çështja të kthehet për rishqyrtim pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.