Vendimi nr. 00-2025-1948 (302), datë 16.12.2025 i Kolegjit Penal
Vendimi nr. 00-2025-1948 (302), datë 16.12.2025 i Kolegjit Penal E drejta për t'u asistuar nga një mbrojtës në procesin penal përbën një garanci thelbësore të procesit të rregullt ligjor. Zhvillimi i gjykimit në mungesë, pa praninë e një avokati (të zgjedhur apo të caktuar kryesisht), cenon vlefshmërinë e procesit dhe e bën vendimin të panjohshëm në rendin juridik shqiptar. Në procedurën e njohjes së një vendimi penal të huaj, gjykata shqiptare vlerëson pajtueshmërinë e procedimit dhe të vendim…
Vendimi nr. 00-2025-1948 (302), datë 16.12.2025 i Kolegjit Penal
E drejta për t'u asistuar nga një mbrojtës në procesin penal përbën një garanci thelbësore të procesit të rregullt ligjor. Zhvillimi i gjykimit në mungesë, pa praninë e një avokati (të zgjedhur apo të caktuar kryesisht), cenon vlefshmërinë e procesit dhe e bën vendimin të panjohshëm në rendin juridik shqiptar. Në procedurën e njohjes së një vendimi penal të huaj, gjykata shqiptare vlerëson pajtueshmërinë e procedimit dhe të vendimit me parimet kushtetuese dhe konventore që përbëjnë rendin procedural shqiptar, dhe jo përputhshmërinë e tyre me legjislacionin procedural të shtetit të origjinës. Mungesa e njoftimit efektiv të akuzës dhe e garantimit të së drejtës së mbrojtjes gjatë një procedimi penal in absentia përbën një cenim themelor të procesit të rregullt ligjor, i cila përjashton njohjen dhe ekzekutimin e vendimit penal të huaj.
Përmbledhje e Çështjes dhe Arsyetimi Ligjor
Në këtë çështje gjyqësore shqyrtohet kërkesa e organit të prokurorisë për njohjen e një vendimi penal të formës së prerë të dhënë nga autoritetet e huaja, me të cilin një shtetas shqiptar ishte dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale të “Trafikimit dhe kultivimit të lëndëve narkotike”. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan vendosi rrëzimin e kërkesës së prokurorisë për njohjen e vendimit. Ajo arsyetoi se i dënuari ishte gjykuar në shtetin e huaj në mungesë, pa iu garantuar të drejtat elementare të mbrojtjes (përfaqësimi nga një mbrojtës i zgjedhur apo i caktuar kryesisht), kusht ky që ndalon njohjen e vendimit sipas pikës 1, gërma c të nenit 514 të Kodit të Procedurës Penale.
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm e ndryshoi vendimin e shkallës së parë, pranoi kërkesën dhe bëri konvertimin e dënimit në 20 vjet burgim sipas Kodit Penal Shqiptar. Kjo gjykatë argumentoi se njoftimi i të pandehurit ishte kryer përmes afishimit (referuar Kodit të Procedurës Penale grek) dhe se mungesa e një avokati nuk e bënte procesin të parregullt, pasi ligji procedurial grek nuk e përcaktonte caktimin e një avokati kryesisht si detyrim për gjykimet në mungesë. Apeli vlerësoi se Konventa dypalëshe për ndihmë gjyqësore kishte prioritet dhe nuk përmbante kufizime të kësaj natyre.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë rrëzoi qëndrimin e gjykatës së apelit dhe vendosi lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë, duke refuzuar përfundimisht njohjen e vendimit. Kolegji argumentoi se objekti i këtij shqyrtimi nuk është legjitimiteti i procesit sipas ligjeve të Greqisë, por vlerësimi nëse ky vendim asimilohet dhe përputhet me rendin juridik shqiptar. Sipas Kolegjit, zhvillimi i një procesi gjyqësor pa njoftim efektiv dhe pa praninë e mbrojtjes përbën një cenim flagrant të parimeve të sanksionuara në Nenin 31 të Kushtetutës dhe Nenin 6 të KEDNJ. Kjo situatë përbën një ometim ligjor që kompromenton gjenezën e procedimit penal, duke aktivizuar kushtin ndalues absolut të nenit 514/1/c të KPP, pavarësisht nëse ligji i shtetit të origjinës e toleron këtë praktikë.