Petani Law & Tax
Kthehu tek blogu

Vendimi nr. 00-2025-1613 (255), datë 21.10.2025 i Kolegjit Penal

Vendimi nr. 00-2025-1613 (255), datë 21.10.2025 i Kolegjit Penal Në këtë çështje parimore të së drejtës procedurale penale, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë (KPGJL) ka interpretuar me rëndësi të veçantë raportin midis përgjegjësisë penale të personave juridikë dhe të drejtës së tyre për të përfituar nga ritet e posaçme të gjykimit, konkretisht gjykimit të shkurtuar, duke garantuar parimet kushtetuese të procesit të rregullt ligjor dhe barazisë përpara ligjit. Maksimat e vendimit (Holdings) 1 "…

Litigation Stafi Petani Jul 14, 2026 3 min lexim
Criminal law Constitutional

Vendimi nr. 00-2025-1613 (255), datë 21.10.2025 i Kolegjit Penal

Në këtë çështje parimore të së drejtës procedurale penale, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë (KPGJL) ka interpretuar me rëndësi të veçantë raportin midis përgjegjësisë penale të personave juridikë dhe të drejtës së tyre për të përfituar nga ritet e posaçme të gjykimit, konkretisht gjykimit të shkurtuar, duke garantuar parimet kushtetuese të procesit të rregullt ligjor dhe barazisë përpara ligjit.

Maksimat e vendimit (Holdings)

1

"Personi juridik në cilësinë e të pandehurit nuk përjashtohet nga e drejta për të kërkuar gjykimin e shkurtuar. Pamundësia e aplikimit “matematik” të zbritjes së 1/3 të dënimit në rastin e sanksionit të “mbarimit të personit juridik” nuk përbën arsye ndalimi për aksesin në këtë rit gjykimi."

2

"Disponimi i gjyqtarit të seancës paraprake për pranimin e gjykimit të shkurtuar, kur nuk ankimohet nga palët, merr formë të prerë dhe nuk mund të zhbëhet kryesisht nga gjykata e apelit në mungesë të një shkaku ankimi që konteston ligjshmërinë e tij."

Përmbledhje e rrethanave të çështjes

Në këtë çështje, u shqyrtuan rekurset e paraqitura nga disa të pandehur (persona fizikë) dhe nga shoqëri (persona juridikë), si edhe rekursi i Prokurorisë së Posaçme, kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Kjo e fundit kishte prishur vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe kishte kthyer çështjen për rishqyrtim, duke e konsideruar vendimmarrjen e kësaj të fundit absolutisht të pavlefshme për shkak të aplikimit të ritit të gjykimit të shkurtuar edhe ndaj personave juridikë.

KPGJL vlerësoi se gjykata e apelit kishte zbatuar gabim ligjin procedural penal, pasi kuadri ligjor për përgjegjësinë penale të personave juridikë nuk ndalon aksesin e tyre në gjykimin e shkurtuar. Sipas Kolegjit, fakti që ndaj personit juridik mund të caktohet si dënim “mbarimi i personit juridik” dhe që ndaj këtij sanksioni nuk mund të zbatohet matematikisht zbritja 1/3 e dënimit, nuk përbën arsye për të përjashtuar apriori këto subjekte nga gjykimi i shkurtuar. Një interpretim i tillë cenon parimet e barazisë përpara ligjit, të sigurisë juridike dhe të procesit të rregullt ligjor.

Gjithashtu, Kolegji theksoi se vendimi i gjyqtarit të seancës paraprake për pranimin e gjykimit të shkurtuar nuk ishte ankimuar nga palët dhe, për pasojë, kishte marrë formë të prerë, duke penguar ndërhyrjen kryesisht të gjykatës së apelit, në mungesë të një shkaku të posaçëm ankimi që të kontestonte këtë disponim. Në këto kushte, mekanizmat proceduralë të shtrirjes së efektit të ankimit të bashkëtëpandehurit nuk mund të shërbenin për të kapërcyer efektin e “gjësë së gjykuar”. Për këto arsye, Kolegji Penal konkludoi se vendimi i gjykatës së apelit ishte rezultat i zbatimit të gabuar të ligjit procedural dhe vendosi prishjen e tij dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në të njëjtën gjykatë, me tjetër trup gjykues.