Petani Law & Tax
Kthehu tek blogu

Kur drejtësia korrigjon vetveten ! - Lorval Petani

Prej disa javësh kam ndjekur me vëmendje vendimet e fundit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut lidhur me procesin e vettingut në Shqipëri. Fillimisht u diskutuan rastet Sevdari, Cani dhe së fundmi Metalla. Tashmë, me publikimin e çështjeve Elezi, Osmani dhe Kadana, duket se nuk kemi më të bëjmë vetëm me raste individuale, por me një debat shumë më të gjerë mbi mënyrën se si u zbatua një nga reformat më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Dua të jem transparent me lexuesit e mi: Ferd…

Insights Lorval Petani Jun 24, 2026 2 min lexim
Albania

Prej disa javësh kam ndjekur me vëmendje vendimet e fundit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut lidhur me procesin e vettingut në Shqipëri. Fillimisht u diskutuan rastet Sevdari, Cani dhe së fundmi Metalla. Tashmë, me publikimin e çështjeve Elezi, Osmani dhe Kadana, duket se nuk kemi më të bëjmë vetëm me raste individuale, por me një debat shumë më të gjerë mbi mënyrën se si u zbatua një nga reformat më të rëndësishme të shtetit shqiptar.

Dua të jem transparent me lexuesit e mi: Ferdinand Elezin e kam mik personal prej shumë vitesh. Por pikërisht për këtë arsye jam përpjekur gjithmonë ta shoh çështjen e tij jo përmes miqësisë, por përmes fakteve juridike dhe vendimeve gjyqësore. Faktet sot tregojnë se Gjykata e Strasburgut po ndërton një jurisprudencë që meriton të analizohet me seriozitet nga juristët, institucionet dhe vetë politika.

Askush nuk mund të mohojë se reforma në drejtësi ishte e nevojshme. Sistemi kishte nevojë për pastrim, transparencë dhe rikthim të besimit publik. Por po aq e rëndësishme është të pranojmë se çdo reformë, sado e domosdoshme të jetë, mbetet një veprimtari njerëzore dhe për pasojë nuk është e pagabueshme.

Nëse një pjesë e vendimeve të vettingut po korrigjohen nga Strasburgu, kush mban përgjegjësi për dëmin profesional, akademik, moral dhe financiar të shkaktuar ndaj atyre që rezultuan të cenuar padrejtësisht? Sepse një shtet i fortë nuk matet vetëm nga aftësia për të marrë vendime, por edhe nga aftësia për të reflektuar mbi to.

Pas çdo gjyqtari apo prokurori të larguar nga sistemi nuk qëndron vetëm një dosje administrative. Qëndrojnë vite studimi, eksperiencë profesionale, reputacion, sakrifica personale dhe familje që kanë përjetuar pasojat e atyre vendimeve. Kur një vendim korrigjohet nga një gjykatë ndërkombëtare, nuk është në diskutim vetëm fati i individit që e fiton çështjen, por edhe cilësia e procesit që e prodhoi atë vendim.

Dhe ndoshta, kjo është prova e radhës që duhet të kalojë drejtësia shqiptare.