Petani Law & Tax
Kthehu tek blogu

Trajnim i Dhomës Vendore të Avokatisë Durrës: aksesi në drejtësi për gratë dhe vajzat viktima të dhunës

Trajnim profesional për avokatët e Durrësit mbi ligjin nr. 11/2026, qasjen me në qendër viktimën dhe Mekanizmin e Koordinuar të Referimit.

Insights Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës Oct 15, 2026 2 min lexim
Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës Trajnim profesional Akses në drejtësi Mbrojtja e gruas Dhuna në familje Të drejtat e njeriut

Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës organizoi sot trajnimin me temë: “Garantimi i aksesit në drejtësi për gratë dhe vajzat viktima të dhunës, me fokus të veçantë në zbatimin e duhur të ligjit nr. 11/2026 ‘Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje’”.

Trajnimi u drejtua nga Av. Iris Aliaj dhe kishte në fokus njohjen me risitë thelbësore të kuadrit të ri ligjor, identifikimin e formave të dhunës, përfshirë dhunën e lehtësuar nga teknologjia, si dhe instrumentet dhe masat ligjore për mbrojtjen e viktimave.

Gjatë aktivitetit u trajtuan gjithashtu masat e mbrojtjes dhe mekanizmat përkatës ligjorë, identifikimi dhe administrimi i provave në rastet e dhunës, roli i avokatit dhe profesionistit ligjor në garantimin e aksesit në drejtësi, qasja me në qendër viktimën dhe funksionimi i "Mekanizmit të Koordinuar të Referimit" (MKR), standardet ndërkombëtare dhe zbatimi i tyre në praktikën profesionale.

Përmes diskutimeve dhe rasteve studimore, trajnimi synoi të forcojë njohuritë dhe kapacitetet profesionale të avokatëve për të garantuar një mbrojtje ligjore efektive, të ndjeshme ndaj nevojave të viktimave dhe në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut.

Në këtë kuadër, Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës, nën drejtimin e Kryetarit, z. Lorval Petani, vijon të mbështesë zhvillimin profesional të avokatëve dhe forcimin e rolit të tyre në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, duke kontribuar në një sistem drejtësie më të aksesueshëm dhe më të sigurt për gratë dhe vajzat.

Aksesi në drejtësi, mbrojtja dhe dinjiteti i çdo gruaje dhe vajze janë përgjegjësi e përbashkët.

Fotot