Bashkëpronësia: Parimi i Unanimitetit në Tjetërsim

Analizë Juridike - Petani Law & Tax
E Drejta e Pronësisë 23 KORRIK 2025

Bashkëpronësia: Parimi i Unanimitetit në Tjetërsim

Jurisprudenca e KCGJL

Vendimi nr. 00-2025-3030 (383)

Në një vendim qartësues për marrëdhëniet juridike të pronësisë, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë ka trajtuar kufijtë e disponimit të sendit kur ai ndodhet në regjimin e bashkëpronësisë, duke bërë një ndarje të prerë midis pjesës takuese dhe sendit si të tërë.

"Tjetërsimi i sendit në bashkëpronësi si një i tërë mund të bëhet vetëm me unanimitetin e vullnetit të të gjithë bashkëpronarëve, pavarësisht nga pjesa takuese."

Analiza e Çështjes

Çështja u ngrit mbi pavlefshmërinë e një deklarate noteriale ku bashkëpronarët kishin hequr dorë nga pronësia mbi një sipërfaqe trualli pa vullnetin e njërës prej bashkëpronareve (paditëses). Gjykatat e faktit e kishin konsideruar veprimin si tërësisht të pavlefshëm, por KCGJL ofroi një interpretim më të saktë teknik.

Kolegji sqaroi se në rastet kur cenohet vetëm pjesa e njërit bashkëpronar, nuk jemi përpara një pavlefshmërie absolute të të gjithë veprimit, por përpara një pavlefshmërie të pjesshme sipas nenit 111 të Kodit Civil.

Parimet e Përcaktuara

  • Dallimi midis Sendit dhe Pjesës: Shitja apo tjetërsimi i pjesës takuese të një bashkëpronari mund të bëhet lirisht, me kusht respektimin e të drejtës së parablerjes (Neni 204 i KC), por tjetërsimi i sendit "si një i tërë" kërkon vullnetin e të gjithëve pa përjashtim.
  • Pavlefshmëria e Pjesshme: Deklarata noteriale është e pavlefshme vetëm për pjesën që cënon të drejtën e paditëses. Ajo mbetet e vlefshme për pjesët takuese të bashkëpronarëve të tjerë që kanë shprehur vullnetin e tyre.
  • Legjitimimi i Paditësit: Bashkëpronari legjitimohet të kërkojë pavlefshmërinë vetëm për aq sa i takon pjesës së tij takuese mbi sendin e përbashkët, dhe jo për pjesët e të tjerëve.

Duke konstatuar këto imprecizione në interpretimin e gjykatave të faktit mbi vlefshmërinë tërësore të veprimit juridik, KCGJL vendosi kthimin e çështjes për rigjykim. Ky vendim mbron si lirinë e disponimit të bashkëpronarëve të tjerë, ashtu edhe të drejtën e paprekshme të bashkëpronarit që nuk ka dhënë pëlqimin.

Jurisprudenca Civile • MMXXV

Bashkëpronësia Kodi Civil Pavlefshmëri e Pjesshme

SUBSCRIPTION

Subscribe to our blog

Petani Law & Tax is an independent business law firm providing strategic legal advice on business, investment and complex disputes. Trusted by businesses, investors and institutions, we combine legal excellence with commercial insight to deliver practical solutions across Albania and the region.

en_USEnglish